Ish-deputeti i PD Kreshnik Çollaku theksoi domosdoshmërinë e përshkallëzimit të protestës qytetare për të arritur qëllimin, dorëheqjen e qeverisë Rama.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Çollaku tha se deputetët e opozitës duhet të ngujohen fizikisht në Parlament. Po ashtu, një tjetër përshkallëzim mund të jetë futja e protestuesve në grevë të përgjithshme, apo mosbindje civile.
“Duhet të rezistojë protesta, duhet të përshkallëzohet rezistenca. Mund të devijohet në grevë të përgjithshme, mosbindje civile. Grevë të përgjithshme, nuk mund të rrinë 2-3 muaj atje, 50 mijë të rinj apo qytetarë me fëmijë, dhe ti të mos lëvizësh fare! Nuk ndodh në asnjë vend të botës. Unë mendoj që protesta do duhet të gjejë një rrugë komunikimi me opozitën në Parlament, sepse çdo gjë do kalojë nga Parlamenti. Sjellja e Berishës në raport me protestën është fisnike. Protesta ka nevojë për koordinim lëvizjesh me opozitën në Parlament. SPAK-u, dita që SPAK-u të justifikojë atë pritshmëri, mbështetje, është sot, dosjet janë përvëluese. Këto elemente të kombinuara e japin suksesin”, tha Çollaku.
“Deputetët e opozitës të ngujohen fizikisht në Parlament derisa t’u japë ai përgjigje njerëzve. Të pushtohet salla e Parlamentit. Do një përshkallëzim gjëja, sepse me reflektim moral, harroje ti”, u shpreh ai. (A2 Televizion)