“Do të kisha zgjedhur njerëz të tjerë”, Aga: Duhen persona me përvojë politike në Këshillin Kombëtar të PD

Nga A2 CNN
1 Korrik 2026, 21:06 | Politikë

Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Ethem Aga, komentoi përbërjen e re të Këshillit Kombëtar të PD, duke vlerësuar hapjen ndaj grave dhe të rinjve.

I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN Aga vlerësoi edhe dy kandidaturat për drejtimin e Këshillit Kombëtar të PD, Julia Emiri dhe Silvia Hasa, duke u shprehur se kanë kontribute shoqërore.

Megjithatë ai tha se nëse zgjedhja do t’i takonte atij, do të ishte për një emër me kontribut politik brenda PD-së.

 “Në Këshillin Kombëtar shoh të rinj, njerëz me eksperiencë, një kod 40 për qind të grave, që më duket admiruese, por shoh edhe njerëz të panjohur. Me të drejtë edhe z.Shehi tha që në një parti politike duhet të ketë edhe kontribute. Por nga krahu tjetër duhet t’u lemë pak vend edhe të rinjve. Z.Berisha tha që janë dy gra që do të votohen për kryetar të Këshillit Kombëtar. Mendoj që kjo është një gjë e mirë në princip, pastaj unë i njoh të dyja ato gra të nderuara, nuk kam një shoqëri me ato, por janë njerëz me kontribute të paktën në shoqëri. Nuk mendoj që është kryetari i këshillit që do të vendosë aty. Mbase zonjat s’kanë një eksperiencë politike, por mendoj që prioritare për kryetarin e PD ka qenë rinovimi i emrave”, u shpreh Aga.

I pyetur nga gazetari Danglli: A janë emrat që donit, Aga përgjigjet: “Po të kisha qenë unë, po ua them shpirtërisht, do kisha zgjedhur njerëz me kontribute në PD. Sepse të bësh politikë, duhen kontribute. Për një post kaq të lartë si Këshilli Kombëtar, unë në mënyrë personale do kisha zgjedhur një njeri me reputacion politik më të madhe se sa kaq”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos