Këshilltari i Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi, thotë se protesta e fundit me një arkivol na kujton skenat e vitit 1997.
Duke folur në emisionin “Terminal” nga Aurora Sulçe në A2CNN, Muharremi thekson se protesta po denigrohet nga individë që janë të paguar nga klanet e luftës hibride. Sipas socialistit kërkesa për dorëheqjen e Ramës nuk mund të vijë nga rruga, por vetëm përmes zgjedhjeve.
“Nëse biem dakord këtu që dje një grup eksponentësh, të paguar politikisht, na kujtuan historinë e 97’-98’, të një arkivoli politik, që në këtë rast e shpikën se nuk e vrasin dot, të na kujtojnë pas kohën ku ka qenë dhuna, përçarja, mosfunksionimi i institucioneve, gjë që bie ndesh me pozitën demokratike ku është sot Shqipëria, që jemi sa më pranë BE-së. Është një element që ajo protestë po denigrohet nga individë të paguar nga klanet. Absolutisht që ka klane të luftës hibride, dezinformacionit”, shprehet Muharremi.
“Kërkesa e parë që është ajo për dorëheqjen e Ramës, nuk mund të vijë nga rruga, nga sheshi, nga bulevardi. Është një vullnet që mund ta japësh me votë. Janë zgjedhjet e 2027-ës, dhe këtu do jemi së bashku, ku do dominohen nga PS”, vijon ai. (A2 Televizion)