Rama takim me banorët e Zvernecit: Hetimi nuk është për investitorët, por për subjektin që shiti pronën

Nga A2 CNN
5 Qershor 2026, 18:05 | Politikë

Rama takim me banorët e Zvernecit: Hetimi nuk është për

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Pallatin e Kulturës me banorë të Zvërnecit dhe Nartës, ku një prej qytetarëve ngriti shqetësimin për çështjen e pronave në zonën ku është vendosur gardhi i projektit turistik.

Qytetari tha se, ndonëse shumë persona kanë folur për këtë çështje, ai nuk kishte pasur mundësinë të shprehej më parë. Ai u ndal te disa deklarata të Kryeministrit lidhur me pronën në fjalë, duke theksuar se çështja e tyre vijon të jetë në gjykim.

Kam një vërejtje personale për juve. Çështja jonë ende është duke u gjykuar dhe ju keni thënë se ajo pronë është e trashëguar brez pas brezi. Kjo më ka vrarë, sepse nuk e di çfarë të pres nga gjykatësi. U ndjeva i prekur nga disa deklarata tuaja”, u shpreh qytetari.

Në përgjigje, Rama mohoi që të ketë paragjykuar procesin gjyqësor, duke sqaruar se deklaratat e tij kanë pasur të bëjnë me faktin se prona është kthyer shumë vite më parë dhe jo nga qeveria aktuale.

Jo, nuk është e vërtetë. Do ta shpjegoj unë tani. Unë kam thënë që prona është kthyer brez pas brezi, është kthyer shumë vite më parë, nuk është kthyer nga qeveria jonë. Dhe pronat e kthyera janë prona të trashëguara, kështu funksionon ligji. A ka prona që janë kthyer gabimisht? Ka plot, por këtë nuk e vendos unë, e vendos vetëm gjykata. Ndjesë nëse je ndjerë i lënduar, por nuk më ke kuptuar”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se nuk ka takuar asnjë prej pronarëve që përfliten në debatet publike dhe se nuk ka dijeni për marrëveshjet e mundshme mes investitorëve dhe pronarëve.

“Unë nuk kam takuar kurrë asnjë nga pronarët që përfliten. Nuk kam idenë fare se çfarë marrëveshjesh janë bërë mes investitorëve dhe pronarëve. Kjo është një çështje private”, u shpreh ai.

Rama kujtoi gjithashtu se që në momentin kur u bë publik interesi i familjes Trump për investim në Shqipëri, kishte bërë dallimin mes rolit të qeverisë dhe çështjeve që lidhen me pronën private.

Kur ka dalë për herë të parë çështja e interesit të familjes Trump për Shqipërinë, kam thënë që Sazani është një çështje që i përket qeverisë, ndërsa pjesa përballë është një çështje që i përket pronarëve privatë. Kështu që Shqipëria shitet apo nuk shitet kur vjen puna te prona private, këtë e vendosin pronarët”, deklaroi Kryeministri.

Duke u ndalur te hetimet që janë përmendur publikisht në lidhje me këtë çështje, Rama theksoi se ato nuk lidhen me kompaninë apo investimin.

Hetimi nuk zhvillohet për kompaninë apo për investimin. Hetimi është një hetim në proces për një indicie ndaj një subjekti që ka shitur pronën”, përfundoi ai.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos