
Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me banorët e Zvërnecit në Vlorë tregoi se si ka ndërhyrë Irani përmes luftës hibride në Shqipëri, ku së fundmi po zhvillohen protesta.
Sipas Ramës është zhvilluar një fushatë e organizuar manipulimi, ku ndër të tjera ai pretendon se janë përdorur edhe materiale të krijuara me inteligjencë artificiale për të përhapur informacione të rreme.
Po ashtu ai tha se narrativa se këtu do të vijnë palestinezë është bërë me sistem të qartë në disa xhami.
“U bënë vite që jemi shënjestër e Iranit. Ditën e parë kur ka shpërthyer gjëja, ka pasur 5 herë më shumë përdorues të rrjeteve sociale që lidheshin me Shqipërinë sesa ka pasur gjatë viteve të fundit. 5 herë më shumë u bënë kur u shpërnda ajo gjëja. Ishte një skandal i vërtetë rrethimi në atë formë, me ato telat, që është përgjegjësi e madhe e atyre që janë caktuar atje për të menaxhuar gjënë nga kompania. Është bërë me AI një si afishe dogane ku shkruhej ‘stop kufiri i Izraelit’! është hedhur në mënyrë intensive narrativa që këtu do vijnë palestinezët. Është bërë me një sistem të qartë në disa xhami. Është hedhur hirra te tjerë që e kanë marrë këtë gjë me shqetësim të madh duke e besuar. Gjëja ka marrë përmasa botërore dhe është shumë e thjeshtë për ta kuptuar pse Irani është i interesuar për këtë narrativë, që fillon duke shkatërruar një nga pikat më të forta të reputacionit shqiptar në botë, se si myslimanët shqiptarë së bashku me të krishterët shpëtuan hebrenjtë. Është përpjekje për të na bërë gropën. Sulmi është nga ata që janë armiq të Shqipërisë”, tha Rama.
(A2 Televizion)