Avokati i Metës kundërshton vendimin e GJKKO: E papranueshme ta mbash në kafaz xhami

Nga A2 CNN
5 Qershor 2026, 17:13 | Politikë

Avokati i Metës kundërshton vendimin e GJKKO: E papranueshme ta mbash

Avokati i presidentit të Partisë së Lirisë, Kujtim Cakrani, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për të lënë klientin e tij, Ilir Meta, në “kafazin e xhamtë” gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor.

Në një prononcim për mediat, Cakrani e cilësoi vendimin të papranueshëm dhe, sipas tij, të turpshëm për drejtësinë shqiptare. Ai tha se gjykata nuk duhet të kishte rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për ndryshimin e masës gjatë qëndrimit në sallë.

Avokati pretendoi se SPAK nuk ka kryer veprime të plota hetimore, duke ngritur shqetësime edhe për mosadministrimin e disa letërporosive dhe informacionit nga autoritetet e huaja, sipas tij të rëndësishme për çështjen.

Ai shtoi se, sipas tij, veprimet e SPAK janë të dyshimta dhe se mbrojtja nuk ka pasur akses të plotë në informacionet e nevojshme për çështjen.

Si do mbrohemi ne pa marrë informacion për atë që ka ndodhur me çështjen?”, u shpreh ai, duke ngritur pretendime edhe për mosvënien në dispozicion të materialeve hetimore.

Cakrani kritikoi gjithashtu vendimin e gjykatës për të mos pranuar kërkesën e mbrojtjes, duke e cilësuar atë “të papranueshëm dhe të turpshëm”.

Ai tha se gjykata është bazuar, sipas tij, në raste ndërkombëtare të personave të akuzuar për krime të rënda, duke e konsideruar këtë krahasim të padrejtë për situatën e Metës.

“Si mund të krahasohet zoti Meta me persona të akuzuar për terrorizëm?”, u shpreh avokati, duke e konsideruar vendimin të pajustifikuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos