Protesta e opozitës nuk i ka frymëzuar qytetarët, deklaroi analisti Mentor Nazarko, duke komentuar tubimin e fundit të thirrur nga PD përballë Kryeministrisë.
Sipas Nazarkos, Partia Demokratike nuk po frymëzon as sa në vitin 2021, duke theksuar se duhen protesta me sfond social, dhe jo të lidhura me çështjen e zgjedhjeve të lira, apo me sfond denoncues.
I ftuar në Off the Record me Andrea Dangllin, ndër të tjera ai tha:
“Pas shumë vitesh në pushtet të së majtës, nëse s’do kishim protesta, atëherë do t’i binte që do ishim shoqëria apo shteti më i lumtur në Europë, ndërkohë që s’është kështu.
Kur shkon puna te tematikat që përzgjidhen si tematika dominante, tematikat që përmendi z.Baçi, mendoj që nuk janë frymëzuese, çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dimensioni denoncues, nuk janë dy dimensione që frymëzojnë njerëzit.
Mendoj që protestat që kanë sfond social, probleme të qytetarëve, vërtet që do të ishin më masive dhe vërtet do ta mobilizonin nervin, që thotë z. Baçi”, tha Nazarko, duke iu drejtuar deputetit demokrat, në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN.
Ndërkohë, nga ana tjetër, deputeti demokrat u shpreh se PD ka ndërmarrë një valë protestash që do vazhdojë.
Baçi, ka bërë një thirrje të fortë për bashkimin e të gjithë faktorëve shoqërorë, duke theksuar se problemi kryesor i vendit nuk është opozita, por "kapja e shtetit në të gjitha instancat e saj".
Gjatë fjalës së tij, Baçi nënvizoi se kjo situatë kërkon një reagim frontal, ku krahas forcave politike, një rol kyç duhet të luajnë media dhe intelektualët e ndershëm.
“Nuk është e thënë që intelektualët dalin në protestë bashkë me opozitën. Ajo do të ishte një gjë shumë e mirë. Madje do të ishte shumë e mirë që të ishin folës në protesta e takime të ndryshme,” u shpreh deputeti, duke shtuar se një intelektual i vërtetë është ai që guxon të kritikojë edhe vetë opozitën. Sipas tij, shumica e intelektualëve mbajnë qëndrime realiste nëpër studio televizive, gjë që përbën një ndihmë të madhe për kauzën demokratike.
Nga ana tjetër, Baçi nuk i kurseu kritikat për ata që i quajti "pseudointelektualë" dhe analistë të blerë, të cilët sipas tij ndërtojnë një narrativë që ia kalon fajin gjithmonë opozitës. “Ata që janë të blerë nuk bëhen për vete. Ata bëhen për vete vetëm me një mënyrë: t'u japësh më shumë nga ç'u jep ai tjetri,” tha Baçi.
Në mbyllje të fjalës së tij, deputeti demokrat mbrojti punën e opozitës, duke kujtuar se akuzat e tyre për korrupsion tashmë po vërtetohen me fakte. Ai theksoi se opozita po zhvillon një "betejë shumë të fortë dhe të fuqishme në kushte të pabarabarta", duke insistuar se zëri i tyre ka paralajmëruar vjedhjet shumë më herët se ato të bëheshin publike.
Sakaq, politologu Afrim Krasniqi tha se PD sot po përpiqet të justifikojë paaftësinë e saj si opozitë, në një kohë kur në vend nuk ka shpresë, nuk ka entuziazëm dhe mungojnë reformat.
Krasniqi theksoi domosdoshmërinë që PD të bëjë propozime në lidhje me reformat, pasi kjo është detyra kryesore e saj. Ndër të tjera Krasniqi vuri në dukje se arma kryesore e një opozite nuk janë protestat, por janë idetë.
"Shqipëria e ka jetike rotacionin politik. S’ka qeverisje, s’ka reforma, s’ka progres, s’ka shpresë, s’ka entuziazëm, s’ka asnjë nga elementët që duhet të kishte një vend në këto lloj kushtesh, dhe ndodhemi në një fazë ku në mënyrë të çuditshme e gjithë opozita justifikon paaftësinë e vet dhe është pengesë e rotacionit politik në Shqipëri!", tha politologu duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN.
"Tani t’i biem nga Kina për të kërkuar arsyet është krejt e thjeshtë. U tha që arma kryesore e opozitës është protesta. Arma kryesore e çdo opozite në botë janë idetë. U bë ky panairi i famshëm i Diasporës, pati disa statuse në rrjetet sociale, por askush s’doli të propozonte, detyra kryesore e opozitës është të propozojë reforma", u shpreh Krasniqi.
Nga ana tjetër, anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, ka bërë thirrje për një reflektim të thellë mbi strategjinë dhe aksionin opozitar, duke theksuar se përballja me qeverinë kërkon moral politik dhe zgjidhje konkrete.
Sipas Hoxhës, halli kryesor i vendit është "kapja peng e demokracisë", një situatë që, sipas tij, zhbën çdo çështje tjetër sekondare. (A2 Televizion)