Këshilltari ekonomik i Partisë Demokratike, Dorian Teliti, ka komentuar sloganet e dëgjuara gjatë protestave, duke theksuar se thirrjet kundër kreut të PD-së, Sali Berisha, vijnë vetëm nga një grup i vogël pjesëmarrësish.
Duke folur për sloganet “Rama burg” dhe “Berisha burg”, Teliti shpreh në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, se shumica dërrmuese e protestuesve kërkojnë burgosjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa thirrjet kundër Berishës, sipas tij, artikulohen nga një numër i kufizuar personash.
“Do të dalim edhe te kjo thirrja ‘Rama burg’ dhe ‘Berisha burg’. ‘Rama burg’ e thonë të gjithë ata që janë në shesh. ‘Berisha burg’ e thonë 50-60 veta. Unë jam vetë në shesh përditë.
Janë disa persona të organizuar që kanë kapur dy-tri megafonë dhe bërtasin. Kaq. Njëri bën një thirrje dhe e ndjekin 50 apo 60 veta, si në stadium, por nuk shpërndahet te pjesa tjetër e protestuesve”, deklaroi Teliti. (A2 Televizion)