Kryeministri Edi Rama doli sërish në mbrojtje të vendimit të qeverisë për të shpenzuar 4 milionë euro, me qëllim që koncerti i Kanye West në Tiranë të mos anulohej. Sipas tij, bëhej fjalë për një investim në mbrojtje të imazhit të Shqipërisë, turizmit dhe ekonomisë së vendit.
Rama shpjegoi se 4 milionë eurot nuk u shpenzuan për vetë koncertin, por për të përballuar pasojat e sulmit ndaj këtij eventi, që sipas tij detyroi qeverinë të rimbursonte biletat e pashitura.
Sipas kryeministrit, protestat e qytetarëve kanë shkaktuar tashmë dëme për sektorin e turizmit, duke sjellë një ulje të numrit të vizitorëve, shkruan A2CNN.
Teksa përsëriti gatishmërinë e qeverisë për të dëgjuar shqetësimet legjitime të qytetarëve, Rama theksoi se nuk do të pranojë asnjëherë shantazh ndaj institucioneve apo vendimmarrjes së qeverisë. (A2 Televizion)