Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, debatoi në emisionin “Puls” nga Bruna Çifligu, me aktivistin e “Qëndresës Qytetare” Rigels Xhemollari, lidhur me fondin 4 milionë euro që qeveria akordoi për koncertin e Kanye West.
Ministri theksoi se për besueshmërinë e vendit eventi s'duhet të anulohej, duke u shprehur se impakti i tij është minimumi 5-fishi i shumës së akorduar.
Sakaq, Xhemollari i konsideroi këto parashikime si aludime të pambështetura në fakte, duke vënë në dukje se këto para mund të përdoreshin për emergjenca të tjera jetike, që lidhen me spitalet, rrugët dhe shkollat.
DEBATI
Xhemollari: Është fond emergjence!
Gonxhja: Jo nuk është fond emergjence. Është fondi rezervë.
Xhemollari: Ka emergjenca të tjera, ka autobusë 22-vjeçarë.
Gonxhja: Ky është fondi rezervë që përdoret për shërbime të paparashikuara.
Xhemollari: A ka ndonjë shpenzim të paparashikuar në spitale?!
Gonxhja: Mund të ketë. Por në ditën që është marrë vendimi s’ka pasur.
Xhemollari: Të dashur qytetarë, qeveria po thotë që në datën që është marrë vendimi s’ka pasur asnjë emergjencë as për rrugët, as për spitalet, shkollat…!
Gonxhja: Gati 85 për qind e tyre janë të huaj.
Xhemollari: Këtë s’e ka thënë kompania.
Gonxhja: Ata do rrinë për dy netë, dhe me një mesatare, me një llogari të thjeshtë…
Xhemollari: Kjo është abuzim. E vetmja matje është AirBnb.
Gonxhja: Pse duhet të më zësh zërin mua?!
Xhemollari: S’po të ngre zërin, po të them është abuzim. Të thuash s’e di sa të huaj dhe e di sa do na sjellin në fund!
Gonxhja: Këta s’vijnë vetëm, vijnë me familje.
Xhemollari: Mund të vijnë edhe për të parë Zvërnecin, natyrën.
Gonxhja: Të bëhemi serioz. Minimumi impaktin ekonomik e ka 5-fish të fondit 4 milionë euro. Fiton vendi besueshmëri, sepse nëse anulohet një event i këtyre përmasave....Nuk e kuptoni që s’jemi Anglia!
Xhemollari: Pikërisht s’e s’jemi Anglia këto para duhet të shkojnë diku tjetër.
(A2 Televizion)