Deputeti Gjin Gjoni tha se Partia Demokratike është kundër tezës së hedhur nga kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, lidhur me mundësinë e zgjatjes së mandateve për prokurorët e SPAK-ut.
“Ne jemi kundër zgjatjes së mandateve. Zgjatja e mandateve është ndryshim kushtetues, ndryshimet kushtetuese bëhen në tërësi”, tha Gjoni në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Gazetari Roland Qafoku ndërhyri duke u shprehur: “Mjafton të ikë Altin Dumani dhe PD-ja është në rregull”.
Por, sipas Gjonit, “SPAK-u nuk është i lidhur me një emër”.
“Ka prokurorë shumë të mirë, të cilët kanë dhënë rezultate pozitive, por ka edhe prokurorë që nuk meritojnë të jenë në SPAK. Rikandidimin e vendos KLP-ja. A e dini se çfarë i ka bërë sot Fatmir Xhafaj kryetares së KLP-së? I tha që janë joefikasë. Kur ta thotë kryetari “po bëni qoka”, atëherë si mund t’ia lej unë në dorë kësaj KLP-je emërimin e prokurorëve?”, u shpreh deputeti demokrat. (A2 Televizion)