
Gjykata Kushtetuese ka publikuar kalendarin e seancave plenare për shqyrtimin e disa çështjeve me interes publik.
Më 29 shtator 2026, në orën 10:00, do të zhvillohet seanca plenare mbi bazë të dokumenteve për shqyrtimin e kërkesës që lidhet me verifikimin e zgjedhshmërisë dhe pajtueshmërisë kushtetuese të zgjedhjes së Endri Shabani në detyrën e Avokatit të Popullit. Kërkesa përfshin gjithashtu shfuqizimin dhe pezullimin e vendimit të Kuvendit për zgjedhjen e tij.
Po atë ditë, në orën 11:00, Gjykata do të shqyrtojë kërkesën e Ervin Salianji, i cili kundërshton vendimet e Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke kërkuar shfuqizimin e tyre si të papajtueshme me Kushtetutën.
Ndërkohë, më 8 tetor 2026, në orën 11:00, Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë seancë plenare për shqyrtimin e kërkesës së Sali Berisha. Ai kundërshton vendimet e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke kërkuar shfuqizimin e tyre si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. (A2 Televizion)