Kryeministri Edi Rama publikoi imazhet e natës së mbrëmshme të stadiumit ku do të performojë reperi amerikan Kaney West. Rama tha se është gati për koncertin e sotëm stadiumi që sipas tij do ta fusë Shqipërinë në një tjetër hartë globale, atë të komunitetit botëror të amatorëve të muzikës, të cilët falë ngjarjes muzikore të mbrëmjes së sotme do të bëjnë atë që bëjnë kudo shkon Kanye Ëest: Do të vijnë të vizitojnë Shqipërinë.
“Disa vazhdojnë të flasin për 4 milionë euro shpenzim për një natë, por vetëm kush nuk do s’e kupton që ato 4 milionë janë një investim, i cili do të rikthehet nga mijëra vizitorët që në 48 orët e fundit janë shtuar në hotelet, apartamentet, restorantet, baret, dyqanet, taksitë, thekson kryeministri Rama.
Sipas kryeministri një koncert i kësaj përmase dhe i këtij artisti, nuk është thjesht një ngjarje artistike. Është marketing global për Shqipërinë, një reklamë që do të kushtonte shumë më tepër po të blihej me fushata tradicionale.
“Shqipëria nuk fiton duke u fshehur nga bota. Shqipëria fiton duke e sjellë botën në shtëpinë e saj”, tha Rama.
Postimi i plotë i Ramës në Facebook:
GATI STADIUMI I KONCERTIT që do të fusë Shqipërinë në një tjetër hartë globale, atë të komunitetit botëror të amatorëve të muzikës, të cilët falë ngjarjes muzikore të mbrëmjes së sotme do të bëjnë atë që bëjnë kudo shkon Kanye Ëest: Do të vijnë të vizitojnë Shqipërinë.
Disa vazhdojnë të flasin për 4 milionë euro shpenzim për një natë, por VETËM KUSH NUK DO S’E KUPTON që ato 4 milionë janë një INVESTIM, i cili do të rikthehet nga mijëra vizitorët që në 48 orët e fundit janë shtuar në hotelet, apartamentet, restorantet, baret, dyqanet, taksitë. Më shumë se sa 4 milionë do të jenë të ardhurat që do të rikthehen edhe në vetë arkën e shtetit, nga rritja e konsumit - është vërtetë gjynah që rrimë bëjmë këtë bisedë, në një ditë të shënuar kulturore si kjo për Shqipërinë.
Një koncert i kësaj përmase dhe i këtij artisti, nuk është thjesht një ngjarje artistike. Është MARKETING GLOBAL PËR SHQIPËRINË, një reklamë që do të kushtonte shumë më tepër po të blihej me fushata tradicionale. Dhe kjo nuk është një shpikje shqiptare. Është mënyra se si veprojnë vendet më të zhvilluara të Europës. Kush kujton se kultura është luks duhet ta rishikojë këtë opinion të gabuar.
“S’kemi bukë, s’na duhet kultura”? Gabim, kultura nuk është vetëm ushqim shpirtëror, po edhe ekonomi, turizëm, zhvillim. Bukë! (Nga koncerti Kanye Ëest pak javë më parë, Stambolli pati mbi 100 milionë Euro vlerë të shtuar).
Prandaj ta paraqesësh një investim të tillë si para të hedhura në erë është të mos kuptosh se si krijohet vlerë monetare nga ngjarjet kulturore e sportive, ndërkohë që e kundërta, anulimi i koncertit, do të ishte turpërim i Shqipërisë dhe dëm i madh në imazhin e mezingritur të vendit tonë.
Shqipëria nuk fiton duke u fshehur nga bota. Shqipëria fiton duke e sjellë botën në shtëpinë e saj. (A2 Televizion)