Vlora vijon që të mbetet një prej destinacioneve më të pëlqyera nga turistët këtë sezon veror. Plazhet mbeten destinacioni kryesor por shumë zgjedhin të eksplorojnë ishullin e Sazanit dhe gjiret e Karaburunit.
Vetë turistët pohojnë se me Vlorën janë njohur në mediat sociale e prej aty kanë vendosur të kalojnë disa ditë pushimi. Përveç bukurive të shumta natyrore, turistët Vlorën e shijojnë edhe përmes ushqimeve të zonës.
"Unë vij nga Londra. Në Shqipëri vij për herën e parë. Zgjodha Shqipërinë kësaj here. Hapësira ku qëndruam në Golem ishte një hotel mjaftë i mirë dhe me shumë aktivitete .Tashmë jemi në Vlorë dhe ky qytet me aq sa kam parë është shumë i bukur. Do të shikojmë më shumë sepse jemi në një varkë por moti është fantastik.Në Vlorë do të qëndrojmë për një ditë të vetme. Më parë kemi vizituar Tiranën dhe Durrësin.Pas Vlorës do të largohemi", tha turistja nga Londra.
"Unë jam nga Londra. Është hera e parë që jemi në Shqipëri. E kemi parë këtë vend në internet. Ishte shumë i bukur në Instagam, Tik Tok, në rrjetet sociale dhe kështu që ja ku jemi këtu. Mendoj se njerëzit këtu në Vlorë janë të mirë shumë. Ushqimi është i mrekullueshëm. Moti, deti qenkan fantastik", deklaron një tjetër turiste nga Londra.
"Unë vij nga Gjermania, është hera e parë që jam në Shqipëri. Mua më pëlqen shumë kultura në Shqipëri dhe mbi të gjitha njerëzit që janë këtu. Shqipërinë e zbuluam nga Interneti dhe tashmë jemi këtu. Në Vlorë më pëlqen më shumë deti por gjithashtu edhe malet që e rrethojnë, por edhe komuniteti këtu", shprehet turist nga Gjermania.
“Kjo është hera e dytë që vizitojmë Shqipërinë, por është hera jonë e parë që jemi në Vlorë. Qyteti më pëlqen shumë, është shumë i bukur. Tashmë do të shkojmë drejt ishullit, të vizitojmë edhe shpellat. Moti këtu qenka shumë i mirë. Këtë vend e zbuluam nëpërmjet TikTok. Kam ardhur këtu me miqtë e mi. Me shumë mundësi do të kthehemi sërish, pasi është vend shumë i bukur”, thotë një tjetër turiste.
Sipas shifrave nga Autoriteti Portual në fundjavë është shtuar ndjeshëm numri i turistëve që kanë mbërritur në Vlorë. Më shumë se 1 mijë pasagjerë dhe qindra mjete parashikohet që të zbarkojnë përgjatë kësaj fundjave, që cilësohet si shifra më e lartë për këtë vit. (A2 Televizion)