E rikthyer në tonin e Neomalsores, Marjana Koçeku u zgjua me një falje këtë të enjte, duke tentuar të përfaqësojë elektoratin me postimin e radhës në rrjetet sociale, por larg sallës së përfaqësimit të elektoratit, Kuvendit të Shqipërisë.
“I kërkoj falje prej zemre Thethit. Ajo ngjarje ka kenë ndër goditjet ma të mëdha emocionale që kam marrë n’jetën teme”, shkruan Koçeku.
Pas lumit të kritikave se ku ishte ajo një vit më parë për banorët e Thethit, deputetja pohoi dhimbjen e shprehur me lot, duke e barazuar me dhimbjen më të madhe të jetës së saj: “Unë nuk kjaj, por njato ditë kam kja ma shumë se kur m’ka vdekë baba. Betohem në 7 shenjtorët që besoj ma shumë se tash kam me ju përfaqësue si duhet. S’ka me i fye kush ma ato male siç i kanë fye”.
Por, çfarë thoshte në ditët e shembjeve dhe përplasjeve të mëdha në Theth deputetja Koçeku? Vuajtja e madhe nuk ndihej në asnjë rresht të postimit të saj në gjuhën standarde: “Dje në Theth u prek nji plagë që po thellohej dita ditës e që lidhet me identitetin dhe estetikën tonë kulturore e natyrore. Plaga e ndërtimeve pa identitet, pa historik e pa miratim ligjor. Kryeministri @ediramaal dhe Kryetari @becibenet kanë ba nji ndërhyrje të domosdoshme në mbrojtje të fshatit Theth që asht edhe kopertina e turizmit shqiptar. Duhet respektu nji standart i mirëfilltë estetik, urbanistik dhe ligjor në zonat historike dhe turistike. Për hir të t’parëve tanë të mos e vrasim identitetin! Natyra dhe historia s’falin”.
Atëherë, Neomalsorja as nuk ishte betuar ende si deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Lotët e asokohe që i pohon sot, u kapërdinë për një vit, ndërsa dilemat për vendimet e saj shoqërojnë çdo postim në rrjetet sociale, pas të cilit Neomalsorja zhduk gjurmët deri në postimin e radhës. (A2 Televizion)