
Ne oborrin e Parlamentit, demokratja Jorida Tabaku dhe socialisti Taulant Balla, ndanë me gazetaret dy këndvështrime të ndryshme sa i përket diskutimeve ne Parlamentin Europian lidhur me Shqipërinë.
Ata u ndalën veçanërisht tek amendamenti 17, i shtuar nga eurodeputetët, për t'i kërkuar Shqipërisë garanci për respektimin e ambientit dhe zonave të mbrojtura.
“Të gjithë eurodeputetët ngritën të njëjtat shqetësime për atë që po ndodh sot në Shqipëri. Ata ishin të qartë se protesta që zhvillohet sot në vend lidhet me akumulimin e problemeve të 14 viteve të fundit: me sistemin që ka ndërtuar Edi Rama, me arrogancën e pushtetit, me korrupsionin dhe me ligjet me porosi. Kishte disa amendamente të propozuara nga grupi i të Gjelbërve, të cilat PPE i trajtoi me përgjegjësi dhe në fund u arrit një formulim që reflekton kërkesat e protestuesve. Amendamenti dënon ligjin e investimeve strategjike dhe kërkon pezullimin e tij të menjëhershëm. Po ashtu kërkon rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe garantimin që çdo projekt të shoqërohet me vlerësime të plota mjedisore, konsultim me shoqërinë civile dhe me komunitetet lokale”, tha ndër të tjera Tabaku.
“Votuesit u ndanë në dy grupe: Në njërin grup ishin të majtët, socialistët dhe demokratët dhe në tjetrin, e djathta që nuk e votuan amendamentin 17. Ka një keqkuptim, do të mundohemi që pas 3 javësh në Strasburg ta sqarojmë. Nuk ekziston në Shqipëri një park kombëtar Vjosë-Nartë. Në Shqipëri ka Parku i Vjosës për të cilin i kam garantuar se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që në 470 metra park kombëtar, të mos ketë ndërtim. Nartë-Pishë Poro është diçka tjetër, për këtë u kërkua të zëvendësohej realisht. Moratoriumi nuk u referohet zonave të cilësuara peizazh i mbrojtur. Marta Kos ishte shumë e qartë në ato që tha. Kapitulli 27 nuk mbyllet pa u sqaruar kjo gjë. Le të presim gjithë qartësimet që do të vijnë, që në këtë moment mbyllet ky diskutim. Për të hyrë në BE ne do të bëjmë gjithçka”, tha Balla. (A2 Televizion)