
Shqiptarët jetojnë sot në 6 shtete të ndryshme, rrethohen po nga shqiptarët e vet, ndërsa flasin të njëjtën gjuhë dhe këndojnë po shqip.
Pikërisht kjo gjuhë universale, muzika, ka bërë bashkë artistë si Kastriot Tusha, Selami Kolonja, Enkelejda Arifi, Hysni Alushi dhe Nikollë Prelaj në Pogradec, për të interpretuar në një koncert ngjyrat muzikore të çdo treve, nga veriu në jug.
Njëlloj si turistët që kanë zgjedhur për të pushuar në qytetin e liqerit pa kufi, edhe këngëtarët e kanë shijuar atmosferën në Odeonin e një vendi mikpritës.
Koncerti "Atdheu im" është konceptuar si një turne që synon të ruajë dhe të promovojë vlerat e muzikës shqiptare. Pas ndalesës në Pogradec, ky turne do të vijojë rrugëtimin e tij në qytete të tjera të Shqipërisë, në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, me mesazhin që kënga shqipe të jehojë në çdo trevë shqiptare. (A2 Televizion)