
Punonjësit e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit do të përfitojnë pagesa shtesë për orët e punës jashtë orarit normal. Vendimi i ri i miratuar nga Këshilli i Ministrave përcakton masën e përfitimit për orët shtesë, punën gjatë natës, fundjavave dhe ditëve të festave zyrtare.
Sipas vendimit “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 203, datë 10.4.2019”, zjarrfikësit do të kompensohen me përqindje të ndryshme të pagës, në varësi të kohës dhe kushteve të punës.
Për orët shtesë gjatë ditëve të zakonshme të punës, punonjësit do të përfitojnë 25% të pagës, ndërsa për orët e mbrëmjes, nga ora 19:00 deri në 22:00, përfitimi do të jetë 20%. Për punën gjatë pushimit javor, ditëve të festave zyrtare dhe orëve të natës, nga ora 22:00 deri në 06:00, kompensimi do të jetë 50% e pagës.
Vendimi përcakton gjithashtu një kufi maksimal prej 200 orësh shtesë në vit për punonjësit operacionalë të shërbimit zjarrfikës. Ky kufi mund të tejkalohet vetëm në raste të forcës madhore ose gjatë menaxhimit të emergjencave civile, me autorizimin e strukturave përgjegjëse të inspektimit të punës.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me punonjësit e planifikuar dhe ata jashtë grafikut të shërbimit. Edhe këta të fundit do të kenë të përcaktuara qartë përfitimet për punën jashtë orarit.
Punonjësit e planifikuar në shërbim do të përfitojnë 50% të pagës për punën në ditë festash, orët e natës dhe orët shtesë jashtë turnit 24-orësh të planifikuar.
Ndërsa për punonjësit që nuk janë në grafik, por thirren për shërbim gjatë festave zyrtare, parashikohet një ditë pushimi shtesë ose pagesa për 8 orë shtesë, si dhe kompensim për çdo orë pune mbi bazën e pagës orare.
(A2 Televizion)