
Tre persona u arrestuan, një u procedua dhe një tjetër u shpall në kërkim, në lidhje me konfliktin me mjete të forta dhe me thikë të ndodhur dje hyrjen e një parkimi të një pallati, në rrugën “Frosina Plaku”.
Gazetari Igli Çelmeta bën me dije se të arrestuarit janë Luciano Nurçja, Albert Lika dhe Enea Kurti, ndërsa shkak i konfliktit u bë parkimi i makinës. Kujtojnë që si pasojë e konfliktit u plagos me thikë shtetasi A. I., 33 vjeç.
Në njoftimin e Policisë së Tiranës thuhet: “Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, pas njoftimit të marrë se në hyrjen e një parkimi të një pallati, në rrugën “Frosina Plaku”, disa shtetas ishin konfliktuar me sende të forta dhe njëri prej tyre kishte përdorur mjet prerës, organizoi menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u dokumentua ngjarja dhe, në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetasit L. N., 46 vjeç, A. L., 44 vjeç dhe E. K., 23 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. I., 33 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Po ashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. L., 17 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Vijon puna për kapjen e tij”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të metejshme. (A2 Televizion)