Gjyqi ndaj Veliajt, refuzohet kërkesa e Xoxës për të “ngrirë” procesin

Nga Armand Bajrami
7 Korrik 2026, 15:03 | Kronikë

Për të disatën herë Gjykata e Posaçme nuk mundi të çelë të martën shqyrtimin gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe të bashkëpandehurve. Seanca, ku kryebashkiaku nuk ishte i pranishëm, dështoi për shkak të një kërkese të bërë nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e pandehur në proces.

Përmes avokatëve, Xoxa kërkoi shtyrje të seancës dhe pezullim të shqyrtimit gjyqësor deri më 31 gusht, ditë kur përfundonte një raport mjekësor 61 ditor ndaj saj. Xoxa arsyetonte në kërkesë, se për shkak të gjendjes shëndetësore të krijuar pas lindjes një fëmijë në 29 qershor përmes një ndërhyrjeje cezariane, nuk mund të komunikonte lirshëm dhe privatisht me avokatët e saj. “Prandaj nuk mund të garantohet prej tyre mbrojtja e efektive në gjykimin e çështjes në themel”, thuhej në kërkesën e Xoxës, e cila nuk i autorizonte avokatët ta mbronin në mungesë të saj.

Për prokurorët e SPAK në sallën e gjyqit, kërkesa nuk duhet të pranohej, pasi nuk ishte rrethanë për pezullimin e procesit. Prokurori Altin Dumani paraqiti si zgjidhje alternative për gjykatën veçimin e çështjes për Xoxën. Pas tërheqjes në dhomën e këshillimit, treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Elsa Ulliri refuzoi kërkesën e Xoxës për pezullim të procesit.

Duke evidentuar edhe faktin se e pandehura Xoxa nuk ka qenë asnjëherë prezente personalisht në gjykim, gjykata vendosi shtyrjen e seancës për më 21korrik, ndërsa pezulloi afatet e paraburgimit për kryebashkiakun, Erion Veliaj. Në këtë proces, kryebashkiaku i akuzuar për pesë vepra penale, mes të cilave “korrupsion” dhe “pastrim i parave” gjykohet bashkë me 18 të pandehur të tjerë në një gjykim të zakonshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos