Debate dhe gjoba në gjykatë, SPAK paraqet provat për pagesat e lobimit. Meta i kundërshton

Nga Armand Bajrami
19 Qershor 2026, 10:14 | Kronikë

Në një seancë ku nuk munguan as momentet e tensionit, SPAK përfundoi të enjten leximin e aktakuzës ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Duke folur për kontratën lobuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim në SHBA, prokurori Sotir Kllapi tha se një shumë prej 279 mijë USD të paguar ishin produkt korrupsioni. Teksa rrëfeu disa kredi të marra nga Monika Kryemadhi, të përdorura për blerjen e një banesë 400 mijë euro, SPAK nënvizoi se Fatime Kryemadhi, e ëma e Monika Kryemadhit, rezultonte të kishte një disbalancë financiare prej 810 mijë euro, shkruan A2.

Për mosdeklarimin e pasurisë, SPAK listoi dhjetra shpenzime të padeklaruara nga Meta-Kryemadhi ndër vite, nga 6 mijë euro deri në 18 mijë paundë për shkollimin e vajzës, qëndrim në hotele, blerje apo shërbime mjekësore jashtë vendit, por saktësoi se akuzë ka vetëm për një episod me 8 mijë euro shpenzim në vitin 2019.

SPAK kërkoi pyetjen e mbi 40 dëshmitarëve, mes të cilëve ish-zyrtarë të lartë shtetërorë, ish-funksionarë të LSI, ish-funksionarë të CEZ, si edhe disa biznesmenë. Ndërsa avokati i Metës tha se lista e mbrojtjes do të kryesohej nga kryeministri Edi Rama. 

Gjatë seancës, në replikë me kryesuesin Erjon Bani, i pandehuri Meta e cilësoi të njëashëm, duke iu referuar faktit se konsideroi si cenim të solemnitetit kërkesën e tij për t’iu përgjigjur prokurorit.

“Unë po gjykohem këtu si terrorist ukrainas. Unë kam respekt për gjykatën, por ju jeni ekstremisht i njëanshëm”, tha Meta, duke vijuar: “Ta dini, më e mira nga ju është Irena Gjoka”.  

Për një reagim nga vendi pa leje, gjykata gjobiti me nga 10 mijë lekë gjobë Monika Kryemadhin dhe avokatin e Metës, Kujtim Cakrani.

Nga kafazi i sallës së gjyqit, Meta kundërshtoi të gjitha akuzat e SPAK, duke i akuzuar prokurorët për mashtrim dhe manipulim të fakteve. Ish-Presidenti i Republikës tha se kontrata lobuese e LSI me SGIS kishte qenë e ligjshme dhe se qëllimi i saj ishte Reforma në Drejtësi.

Duke lexuar një bisedë mes saj dhe Edi Ramës, pjesë e dosjes, Monika Kryemadhi tha se SPAK i kishte nxjerrë ato nga konteskti. 

Seanca e radhës, ku gjykata do të vijojë të njihet me kundërshtitë e mbrojtjes, u caktua më 24 qershor.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos