Aksident i rëndë në aksin Lushnjë - Tiranë, benzi përplas për vdekje çiklistin

Nga Çaku Tafa
21 Qershor 2026, 08:40 | Kronikë

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur pak para mesnatës në autostradën Lushnjë - Tiranë, në afërsi të urës mbi lumin Shkumbin.

Sipas të dhënave paraprake, një automjet tip "Benz" me targa AB 797 FZ ka përplasur një person që po lëvizte me biçikletë. Përplasja ka qenë fatale, ndërsa viktima ka humbur jetën në vendngjarje.

Nga informacionet e para dyshohet se drejtuesi i biçikletës po lëvizte në mes të karrexhatës, ndërsa drejtuesi i automjetit, edhe pse ka tentuar të devijojë trajektoren, nuk ka mundur të shmangë përplasjen fatale.

Viktima është identifikuar si Taulant Veliu, rreth 30 vjeç, banues në fshatin Grabjan, Njësia Administrative Grabjan, Bashkia Divjakë.

Policia Rrugore bllokoi përkohësisht kahun e lëvizjes drejt Tiranës për të kryer veprimet procedurale dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti fatal.

Njoftimi i Policisë Lushnjë

Më datë 20.06.2026, rreth orës 23:30, në aksin rrugor “Lushnjë–Tiranë”, shtetasi T. V., 37 vjeç, duke udhëtuar me biçikletë, dyshohet se është aksidentuar nga një automjet me drejtues shtetasin B. M., 41 vjeç, dhe më pas dyshohet se është përplasur edhe nga një automjet tjetër me drejtues shtetasin F. M., 39 vjeç.

Si pasojë e aksidentit rrugor, shtetasi T. V. ka humbur jetën në vendngjarje.

Shërbimet e Policisë kanë identifikuar dhe shoqëruar në Komisariat dy drejtuesit e automjeteve, për kryerjen e veprimeve procedurale të nevojshme, të cilët, në përfundim të veprimeve të para hetimore, janë arrestuar në flagrancë si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, parashikuar nga neni 290/3 i Kodit Penal.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon kryerjen e veprimeve hetimore për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos