Policia e Malësisë së Madhe ka finalizuar një operacion antidrogë të koduar “Flagranca”, gjatë të cilit u zbuluan dhe u asgjësuan 306 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa, të kultivuara në fshatin Ivanaj.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, bimët narkotike u gjetën gjatë kontrolleve të ushtruara në terren si rezultat i hetimeve intensive me metoda proaktive. Ato u asgjësuan në vend nëpërmjet djegies.
Në kuadër të operacionit, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë dy shtetas, të dyshuar si autorë të kultivimit të bimëve narkotike. Të arrestuarit janë një 40-vjeçar dhe një 43-vjeçar, banues në fshatrat Guci e Re dhe Grudë e Re.
Policia bën me dije se kontrollet në territorin e qarkut Shkodër vijojnë me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të lëndëve narkotike.
(A2 Televizion)