
Kreu i SPAK, Klodjan Braho, ka reaguar pas një operacioni të madh të institucionit të tij, ku u sekuestruan 150 milionë euro pasuri.
“SPAK vijon goditjen e rrjeteve të krimit të organizuar të përfshira në aktivitetin e trafikimit të drogës nga Amerika Latine për në Evropë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, të veprimtarisë së pastrimit të parave dhe të pasurive me origjinë kriminale. Pasuritë me origjinë kriminale dëmtojmë ekonominë e ligjshme, konkurrencën e lirë, veprimtarinë ekonomike të bizneseve që punojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndershme. Ato rrisin forcën ekonomike të krimit të organizuar, përdoren për të financuar veprimtarinë kriminale dhe nuk sjellin asnjë të mirë publike”, thotë Braho në mesazhin e tij.
“Për këtë arsye, pasuritë me origjinë kriminale duhet të sekuestrohen, të konfiskohen, të kalojnë në favor të shtetit dhe të përdoren për qëllime të ligjshme. SPAK garanton se veprimet e tij synojnë vetëm pasuritë me origjinë kriminale dhe pasuritë që lidhen me veprimtarinë kriminale. Në asnjë rast nuk do të cenohen të drejtat e pronësisë dhe të drejtat e tjera reale të personave fizikë dhe personave juridikë që investojnë në veprimtari ekonomike apo në sipërmarrje private mjete monetare dhe pasuri të fituara në mënyrë ligjshme”, shtoi ai.
SPAK ka goditur një tjetër rrjet të dyshuar ndërkombëtar të trafikimit të kokainës dhe pastrimit të parave, duke ekzekutuar masa sigurie për 10 persona dhe duke vendosur sekuestro mbi 491 pasuri me vlerë rreth 150 milionë euro.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi kriminal dyshohet se ka operuar gjatë viteve 2019-2021 në Amerikën Latine dhe disa vende europiane, duke trafikuar të paktën 50 ton kokainë. Hetimet kanë dokumentuar pesë episode të trafikimit, ku janë sekuestruar në total 8.96 ton kokainë në Belgjikë, Holandë, Ekuador dhe Kolumbi.
GJKKO ka caktuar masën “arrest në burg” për 10 persona të dyshuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Deri tani është ekzekutuar masa ndaj njërit prej tyre, ndërsa vijojnë kërkimet për të tjerët brenda dhe jashtë vendit.
Bëhet fjalë për:
1. Nikoll Bibaj
2. Isa Aliu,
3. Sokol Bibaj
4. Florjan Musaj
5. Armando Pacani
6. Denis Matoshi
7. Naldi Yzeiraj
8. Oklid Aliu
9. Dritan Gjika
10. Shpëtim Aliu (A2 Televizion)