
Mjeti lundrues tip jet ski, me të cilin u aksidentua tragjikisht 22-vjeçari Albiano Kreçi në Ksamil, është nxjerrë nga deti një ditë pas ngjarjes së rëndë që i mori jetën të riut.
Jet ski-ja ishte fundosur pas përplasjes me skafin e Policisë Kufitare, i cili ndodhej i stacionuar rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare.
Aksidenti ndodhi mbrëmjen e së hënës, kur i riu, duke lundruar me shpejtësi, u përplas me mjetin e Policisë Kufitare, shkruan A2CNN.
Si pasojë e dëmtimeve të marra, 22-vjeçari humbi jetën, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur dhe u transportuan në Spitalin e Sarandës për ndihmë mjekësore.
(A2 Televizion)