Orikumi, destinacioni që po tërheq të huajt

Nga Gazment Janku
4 Korrik 2026, 13:54 | Aktualitet

Qyteza e Orikumit po fiton vit pas viti vizitorë të rinj, jo vetëm vendas, por edhe të huaj. Këta të fundit tregojnë se kanë mësuar për këtë qytezë në internet, nga rrjetet sociale dhe shprehen të kënaqur me atë çfarë kanë gjetur buzë detit.

"Ne vijmë nga Polonia. Jemi për herë të parë në Shqipëri. Aktualisht jemi prej dy ditësh këtu; më parë kemi qenë në Liqenin e Shkodrës. Mbrëmjen e kaluam në Orikum dhe realisht na pëlqen shumë. Na pëlqen shumë që gjendemi pranë detit.

E duam shumë natyrën. Besoj se deti është gjëja që na pëlqen më shumë. Ne e zgjodhëm Vlorën, Orikumin, pasi pamë reagimet që kishin dhënë persona të tjerë në një aplikacion që ne përdorim për kampera. Ishte një destinacion i vlerësuar shumë mirë; e përshkruanin si një vend paqësor, perfekt për kampera dhe shumë afër detit."

"Unë vij nga Holanda dhe vizitoj për herë të parë Shqipërinë. Ky destinacion na pëlqen, është shumë bukur. Gjërat që na pëlqejnë më tepër këtu janë deti, malet dhe njerëzit, të cilët janë shumë të sjellshëm.

Më parë kemi qenë në Malin e Zi, prej andej erdhëm këtu. Ne çdo vit për pushime shkojmë në Greqi. Këtë herë menduam të vizitojmë diçka ndryshe. Dëgjuam që në Shqipëri është shumë bukur, me njerëz shumë të sjellshëm dhe erdhëm këtu."

Edhe pushuesit vendas vlerësojnë bregdetin e Orikumit për pushime të qeta.

Plazhet publike të Orikumit duket se do të jenë ndër destinacionet kryesore të pushuesve të huaj, veçanërisht atyre që vijnë me kampera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos