Nis ndërtimi i burgut të ri në Kukës me investim 6.4 milionë euro

Nga A2 CNN
26 Qershor 2026, 11:57 | Aktualitet

Nis ndërtimi i burgut të ri në Kukës me investim 6.4

Në Kukës kanë nisur punimet për ndërtimin e Institucionit të ri të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, një investim me vlerë 6.4 milionë euro që synon modernizimin e sistemit penitenciar në vend.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast ishte i pranishëm ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm në vijimin e reformës në drejtësi dhe përmirësimin e kushteve në sistemin e vuajtjes së dënimit.

Sipas ministrit Gogu, objekti i ri do të ndërtohet në territorin e ish-batalioneve ushtarake dhe do të ketë një kapacitet për 150 persona të privuar nga liria. Ai shtoi se institucioni do të ndihmojë gjithashtu në akomodimin e rreth 40 shtetasve të Kosovës që vuajnë dënimin në Shqipëri, duke i afruar më pranë familjeve të tyre.

Projekti parashikon gjithashtu krijimin e rreth 140 vendeve të reja pune për komunitetin lokal, duke dhënë një ndikim ekonomik në zonë.

Duke folur për reformën në drejtësi, ministri theksoi se ajo nuk përfundon me vendimin e gjykatës, por vazhdon edhe me mënyrën se si shteti administron ekzekutimin e dënimeve.

“Reforma në drejtësi nuk përfundon te gjykata. Ajo vazhdon edhe në mënyrën se si shteti administron vuajtjen e dënimit,” u shpreh Gogu.

Ai nënvizoi gjithashtu se sistemi penitenciar duhet të garantojë njëkohësisht sigurinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut, duke e konsideruar këtë si një nga objektivat kryesore të reformës.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos