Mjekja Korina Kore, e ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, ka sqaruar se pastrimi i tepërt i fytyrës dhe trajtimet e shumta estetike mund të dëmtojnë barrierën natyrale mbrojtëse të lëkurës.
Sipas saj, fytyra mund të krahasohet me një “fushëbetejë”, ku bashkëjetojnë mikrobe të mira dhe të këqija, të cilat kanë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e ekuilibrit të lëkurës.
“Kur e lajmë vazhdimisht fytyrën dhe e mbingarkojmë me trajtime, nuk luftojmë vetëm mikrobet e këqija, por edhe ato të mirat. Kur bëhen shumë trajtime prishet barriera e lëkurës. Duhet të mësojmë të jetojmë me mikrobet e mira”, u shpreh Kore.
Mjekja theksoi gjithashtu se faktorët ambientalë kanë ndikim më të madh në shëndetin e lëkurës sesa vetë predispozita gjenetike. Sipas saj, mjedisi mund ta forcojë ose ta dobësojë ndikimin e faktorëve gjenetikë.
Duke folur për kujdesin pas trajtimeve estetike, Kore paralajmëroi se ekspozimi në diell duhet shmangur për të paktën 10 ditë pas një trajtimi në fytyrë.
“Përgjithësisht është e ndaluar që pas një trajtimi të fytyrës të shkosh në plazh dhe të ekspozohesh në diell. Duhen minimum 10 ditë”, tha ajo, duke shtuar se edhe faktorë si dielli dhe deti mund të ndikojnë në florën natyrale të lëkurës.
Sipas mjekes, reagimi i lëkurës pas pushimeve në plazh ndryshon nga një person te tjetri, pasi disa pacientë raportojnë përmirësim të gjendjes së fytyrës, ndërsa të tjerë përkeqësim të saj. (A2 Televizion)