“1 mijë euro bileta”, gazetari tregon shifrat marramendëse të koncertit të Kanye West

Nga A2 CNN
13 Korrik 2026, 08:42 | Aktualitet

Koncerti i shumëpërfolur i Kanye West në Tiranë vijon të jetë në qendër të debatit publik, jo vetëm për organizimin, çmimet e larta të biletave dhe fondin prej 4.2 milionë eurosh të akorduar nga shteti.

Në një lidhje me Dita Jonë gazetari i A2 CNN Marjo Brakaj dha detaje në lidhje me organizimin e këtij eventi , i cili sipas tij u shoqërua me problematika të shumta, veçanërisht në hyrjet e stadiumit, ku mijëra pjesëmarrës hasën vështirësi për t’u akomoduar në kohë.

“Nëse do ta ndanim në dy pjesë nga ana e organizimit, e cila ishte pjesërisht detyrë e institucioneve shqiptare, përfshirë policinë e shtetit por edhe organizatorëve të tjerë, linte për të dëshiruar, ndonëse do duhej që të gjithë të akomodoheshin brenda orës 20:00 në ulëset e tyre, apo ata të cilët ishin në pjesën afër skenës në zonën VIP apo Gold, të gjithë u hasën me vështirësi. U desh të vinte ora 21:00 për t'u akomoduar, ndërkohë që kishte problematika edhe në të tjera dimensione. Çmimet gjithashtu ishin relativisht të larta, ndërkohë që skenografia e cila në këtë anë ishte tërësisht e huaj, pra ishte bërë nga organizatorët e Eagle Stadium, të njëjtën që bën edhe në Turqi në maj, ishte relativisht brenda pritshmërive”.

Sipas tij, biletat për koncertin kushtonin nga 120 deri në 320 euro për tribunat, ndërsa në zonat VIP dhe Gold çmimet arrinin deri në 1.000 euro për person.

“Segmenti i çmimeve ishte nga 120 deri në 320 euro për ulëset e stadiumit, ndërsa në pjesën VIP dhe Gold çmimet shkonin deri në 1.000 euro, pranë skenës së improvizuar ku performoi Kanye West”, u shpreh ai.

Gazetari Brakaj u shpreh se në momentet e fundit para nisjes së koncertit, kontrolli i biletave u zbut ndjeshëm, duke bërë që shumë persona të hynin pa biletë.

“Stadiumi u mbush, por u mbush me njerëz të cilët jo domosdoshmërisht kishin një biletë. Të paktën mund të konfirmojë që nga ora 20:30 deri në orën 21 të gjithë u lejuan të kalonin pa dëshmuar biletën e tyre. Unë për shembull nuk u check-ova për biletën që kisha, por edhe individë të tjerë që ishin, le të themi, në atë grupin e përbashkët me të cilën hyjmë, jo domosdoshmërisht u desh të paraqitnin një biletë për të hyrë”.

Sa i përket ndikimit në turizëm, Brakaj tha se koncerti nuk prodhoi efektin e pritshëm ekonomik. Sipas tij, ndryshe nga finalja e Conference League në vitin 2022, këtë herë në Tiranë dhe Durrës kishte ende vende të lira akomodimi dhe nuk u vu re një fluks i jashtëzakonshëm turistësh.

Ai theksoi se shumica e pjesëmarrësve të huaj ishin të rinj nga vendet e rajonit, si Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, si dhe nga vende të Evropës Perëndimore, të ardhur kryesisht për koncertin dhe jo për turizëm afatgjatë.

Lidhur me fondin prej 400 milionë lekësh të miratuar nga qeveria për mbështetjen e eventit, gazetari argumentoi se ai u përdor për të mbuluar boshllëkun e krijuar nga mosshitja e plotë e biletave.

“Në afat të shkurtër kemi humbur më shumë sesa kemi fituar, të paktën në aspektin financiar. Për ndikimin në imazh dhe turizëm mbetet të shihet nëse do të ketë përfitime në afatmesëm dhe afatgjatë”, deklaroi ai.

Sipas tij koncerti tregoi se Shqipëria ka potencial për të organizuar evente të mëdha ndërkombëtare, por evidentoi gjithashtu nevojën për planifikim më të mirë, orientim më të qartë të pjesëmarrësve dhe menaxhim më efikas të flukseve të mëdha të njerëzve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos