
I ftuar në emisionin 'Ditari i Pasdites' në A2 CNN, me gazetarin Pandi Gjata, ish-ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se, sipas informacioneve që ai disponon, Gjykata Kushtetuese e ka gati vendimin për çështjen e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, por po vonon publikimin e tij.
"Ata vendimin e kanë gati, mirëpo janë duke pritur. Kanë dilemat e tyre se si do të jetë reagimi i shqiptarëve.
Në disa momente e kanë anuluar shpalljen e vendimit dhe po matin pulsin e njerëzve, po shohin opinionin publik. Megjithatë, ata i frikësohen reagimit të popullit shqiptar, jo vetëm në vend, por edhe në rajon", deklaroi Osmani.
Ai theksoi se është me rëndësi që të dërgohet një mesazh i qartë për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit, duke e cilësuar atë si interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.
"Ruajtja e Marrëveshjes së Ohrit nuk është vetëm interes i shqiptarëve, por i çdo qytetari të Maqedonisë së Veriut, për të ruajtur këtë model unitar, të ndërtuar me shumë mund, i cili është dëshmuar si modeli i vetëm i suksesshëm në Ballkan për zgjidhjen e çështjeve në shtetet multietnike", tha ai. (A2 Televizion)