Tensionet në Hormuz: Pezullohet plani i evakuimit të IMO-së për mijëra marinarë

Nga A2 CNN
26 Qershor 2026, 10:52 | Bota

Tensionet në Hormuz: Pezullohet plani i evakuimit të IMO-së

Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO) ka pezulluar planin për evakuimin e më shumë se 11 mijë marinarëve të bllokuar në Gjirin Persik, pas një sulmi ndaj një anijeje mallrash në Ngushticën e Hormuzit.

Sekretari i Përgjithshëm i IMO-së, Arsenio Dominguez, deklaroi se vendimi është marrë për të garantuar sigurinë e ekuipazheve dhe se operacioni do të mbetet i pezulluar derisa të sigurohen sqarime dhe garanci të reja për sigurinë në rajon.

Sipas Agjencisë Britanike të Operacioneve Tregtare Detare, anija u godit nga një predhë e paidentifikuar rreth 7.5 milje detare në juglindje të portit Dahit në Oman. Nuk u raportuan viktima, ndërsa anija vazhdoi lundrimin.

Sulmi ndodhi pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit kishte paralajmëruar se anijet që përdorin rrugë të pacaktuara nga autoritetet iraniane do të konsiderohen në rrezik dhe duhet të koordinojnë kalimin me Teheranin. Sipas mediave amerikane, zyrtarë amerikanë kanë deklaruar se anija është qëlluar nga forcat iraniane.

Anija me flamur të Singaporit, “Ever Lovely”, po udhëhiqte një flotë prej pesë anijesh dhe po ndiqte një korridor jugor të rekomanduar nga IMO.

Dominguez sqaroi se anija e sulmuar nuk ishte pjesë e planit të evakuimit të koordinuar nga IMO, por theksoi se siguria e detarëve mbetet prioriteti kryesor.

Qindra anije dhe mijëra marinarë kanë mbetur të bllokuar në rajon që nga fundi i shkurtit, për shkak të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Plani i evakuimit ishte njoftuar vetëm pak ditë më parë, pas rihapjes së pjesshme të Ngushticës së Hormuzit me bashkëpunimin e Iranit, Omanit, SHBA-së dhe vendeve të tjera të rajonit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos