Pushimet kthehen në tmerr, merr flakë hoteli në Republikën Domenikane, vdes gruaja italiane

Nga Rosalba Bejdo
20 Qershor 2026, 18:02 | Bota

Pushimet janë kthyer në tmerr për qindra turistë në republikën Domenikane. Një grua humbi jetën dhe rreth 1700 persona u evakuuan pasi një zjarri i madh përfshi një hotel në resortin bregdetar të Bayahibe, në Republikën Domenikane…. Francesca Valentino, shtetase italiane 46-vjeçare, humbi jetën në zjarrin që përfshiu hotelin Viva Wyndham Dominicus Beach, sipas një deklarate të shërbimit të emergjencave.

Siç thuhet gruaja vdiq për shkak të një krize respiratore, si pasojë e thithjes së monoksidit të karbonit, ndërsa ndodhej në plazh, ku kishte shkuar për t’u larguar nga flakët.

Tre persona u transportuan në qendra mjekësore, ndërsa gjashtë të tjerë morën ndihmë në vendngjarje. Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregonin re të dendura tymi të zi që ngriheshin mbi vijën bregdetare të Karaibeve, ndërsa flakët përfshinin çatinë prej kashte të resortit.

“Vëzhgimet paraprake tregojnë se zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të materialeve të ndezshme në disa pjesë të çatisë, të ndërtuara me gjethe palme, si edhe për shkak erës”, deklaroi Qendra e Operacioneve të Emergjencës e vendit. Autoritetet njoftuan se zjarri u vu nën kontroll, por shkaqet e tij vazhdojnë të hetohen. Pushuesit u sistemuan në hotele të tjera aty pranë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos