
Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë për luftën Izrael-Iran. Sipas një raporti ekskluziv të CNN, Forcat e Armatosura të Tel Avivit kishin ngritur një rrjet të fshehtë bazash ushtarake dhe pozicionesh inteligjence në disa vende të Lindjes së Mesme, duke rrethuar praktikisht Iranin nga veriu, perëndimi dhe jugu.
Një nga operacionet më të ndjeshme, i mbajtur larg syve të publikut deri më tani, ishte vendosja e forcave elitare izraelite në Azerbajxhan, fare pranë kufirit verior të Iranit. Burime të njohura me operacionin kanë zbuluar se komandot speciale, personel i Mossad-it dhe njësi të forcave speciale izraelite u stacionuan në disa pika në jug të Azerbajxhanit, vetëm rreth 100 kilometra larg qytetit iranian të Tabrizit, i cili u godit gjatë konfliktit, shkruan A2.
Sipas raportit, këto njësi nuk kishin vetëm rol mbështetës. Ato kryen misione të fshehta zbulimi, operacione me dronë dhe grumbulluan informacione të vlefshme për lëvizjet e ushtrisë iraniane. Pozicioni strategjik pranë kufirit i lejoi Izraelit të monitoronte nga afër aktivitetet ushtarake në veri të Iranit dhe të siguronte paralajmërime të hershme për lëshimet e mundshme të raketave.
Ky ishte vetëm një fragment i një strategjie shumë më të gjerë. Burimet flasin për praninë e forcave izraelite edhe në Irak, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Somaliland, duke krijuar një rrjet të avancuar operacional që i dha Izraelit një shtrirje të paprecedentë gjatë luftës. Fillimisht të menduara si pika emergjente për shpëtimin e pilotëve ose operacione kërkim-shpëtimi, këto pozicione u shndërruan në baza të mirëfillta inteligjence dhe mbështetjeje ushtarake.
Ndërkohë, në Irak, Izraeli mbajti dy objekte sekrete operative për mbështetje logjistike dhe operacione të mundshme shpëtimi. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, Tel Avivi vendosi fshehurazi një bateri të sistemit mbrojtës “Iron Dome”, së bashku me personelin e nevojshëm për funksionimin e saj.
Sipas burimeve të CNN, përgatitjet për operacionin në Azerbajxhan kishin nisur muaj përpara shpërthimit të luftës. Në janar, agjentë dhe forca speciale izraelite vendosën pajisje përgjimi dhe sisteme inteligjence pranë kufirit me Iranin. Fillimisht, operacioni ishte planifikuar të zhvillohej paralelisht me një seri goditjesh amerikane kundër Iranit. Por presidenti amerikan Donald Trump tërhoqi në momentin e fundit planin e sulmeve, pasi Teherani kishte premtuar ndalimin e represionit ndaj protestuesve. (A2 Televizion)