
Pas propozimit të parë, i cili nuk u prit me shumë entuziazëm nga Ballkani Perëndimor pasi i jepte përparësi anëtarësimit të Ukrainës, sipas burimeve diplomatike të A2CNN, Gjermania, së bashku me Francën, kanë ardhur me një propozim të ri për zgjerimin.
Dokumenti, i cili nuk është publik, do të diskutohet në Tivat mes dy liderëve propozues, KE, Këshillit dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas burimeve, propozimi franko-gjerman lidhet me një integrim gradual para anëtarësimit të plotë, por pa hequr dorë nga procesi i bazuar në meritë. Përparimi i shteteve kandidate do të bazohet mbi reformat që do të ndërmarrë dhe track recordet.
Me anë të këtij propozimi, vendet kandidate, siç është edhe Shqipëria, u jepet mundësia për anëtarësim në tregun e përbashkët para anëtarësimit si dhe përfshirja në institucionet e BE përmes statusit të vëzhguesve.
Në këtë non paper duket që i është dhënë një vëmendje përfitimit të qytetarëve, pasi synohet që qytetarët të kenë mundësi të përfitojnë para anëtarësimit. Gjithashtu, kërkohet që të thjeshtohen procedurat, duke propozuar që në momentin që ka një rekomandim pozitiv nga KE duhet të vijohet në atë drejtim, si dhe i kërkohet qeverisë së Brukselit që nëse ky propozim pranohet të merret me të gjitha procedurat e integrimit gradual.
Burimet diplomatike për A2CNN nënvizuan faktin që është një propozim që e përshpejton integrimin e Ballkanit Perendimor, por nuk i përjashton ata nga detyrat për të bërë reforma dhe për të dhënë prova atëherë kur kërkohet nga Brukseli për çështje të caktuara.
Gjithashtu, në këtë propozim sqarohet se nëse vendi kandidat bën regres, mund t’i hiqen përfitmet të cilat mund t’i marrë përpara anëtarësimit. (A2 Televizion)