Emri Vata, ish-drejtor policie, deklaroi se në operacionin në Lozhan të Maliqit, për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari, duhet të shkonte reparti RENEA.
“Procedurat janë standard: merret informacioni, analizohet, hartohet plani dhe bëhet ndërhyrja. Për rastin konkret, nga informacionet e medias, nuk e dimë si është vepruar. Unë kam bindjen që këto procedura Policia e Korçës i ka zbatuar. Nëse informacionet kanë qenë ato që kanë dalë sot në media, dihej që ai person ishte i rrezikshëm dhe ai operacion nuk duhej bërë nga policia lokale. Nëse nuk ekzistonin këto informacione në mënyrë zyrtare, këtu ka një problem shumë të madh. Pse nuk janë marrë këto informacione? Por, nëse kanë qenë informacionet, është përgjegjësi e drejtuesve vendor”, tha Vata në studion e “A2 Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN.
Sipas tij, “kanë qenë diku 40 efektivë të angazhuar në operacion nga ajo që tha drejtori i Policisë së Shtetit”, por shtoi se “lë për të dëshiruar ndërhyrja” dhe se ndërhyrja duhej të bëhej nga reparti RENEA.
“Por, kam përshtypjen se nuk kanë patur informacionin e nevojshëm. Nuk ka qenë informacioni i kanalizuar, i analizuar dhe i protokolluar. Më tej, kur ky person ka qenë problematik dhe ka qenë i proceduar dhe herë të tjera, nuk dimë çfarë akuzash ka pasur për rastet e tjera”, theksoi Vata. (A2 Televizion)