Një fregatë ruse qëlloi me të shtëna paralajmëruese për të detyruar ndryshimin e kursit të një jahti civil me flamur britanik pranë ujërave territoriale britanike të martën. Këtë e tha Ministria e mbrojtjes në Rusi dhe ajo në Britaninë e Madhe.
Ministria ruse tha se ekuipazhi i fregatës Admiral Grigorovich vuri re një jaht që po lundronte në një trajektore që rrezikonte përplasje me anijen luftarake. Sipas Rusisë, pas disa përpjekjeve të pasuksesshme për të vendosur kontakt me radio me jahtin, fregata hapi zjarr paralajmërues përpara tij, përfshirë edhe të shtëna me armë të lehta.
Ministria tha se më pas jahti ndryshoi kurs dhe u largua. Edhe Ministria britanike e Mbrojtjes e përshkroi incidentin si një përpjekje për të shmangur përplasjen, pasi përpjekjet e Admiral Grigorovich për të kontaktuar jahtin kishin dështuar.
Rusia deklaroi se të shtënat u kryen kur dy mjetet lundruese ndodheshin vetëm 150 metra larg njëri-tjetrit, ndërsa një burim i njohur me ngjarjen tha se distanca mes tyre ishte rreth 457 metra. (A2 Televizion)