
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.1 të shkallës Rihter goditi të martën prefekturën e Kumamoto në jug të Japonisë, duke shkaktuar dëme të shumta, ndërprerje të energjisë elektrike dhe shembje ndërtesash. Autoritetet japoneze raportojnë se mijëra familje kanë mbetur pa energji, ndërsa rrugë dhe ura janë dëmtuar.
Disa persona kanë mbetur të bllokuar në një qendër tregtare ku pas tërmetit pati edhe një shpërthim, e ku dyshohet se ka viktima. Kryeministrja japoneze Sanae Takaiçi tha se ekipet e emergjencës po vlerësojnë përmasat e plota të dëmeve dhe u bëri thirrje banorëve të largohen në zona të sigurta.
Rreth 300 mijë persona janë këshilluar të strehohen në qendra evakuimi, ndërsa rreth 3 mijë e 600 ushtarë janë angazhuar për operacionet e ndihmës.
Një spital ka raportuar mbi 50 të plagosur, ndërsa shërbimet hekurudhore dhe fluturimet janë pezulluar përkohësisht.
Një alarm për cunami u lëshua menjëherë pas tërmetit, por më vonë u anulua. Agjencia Meteorologjike Japoneze paralajmëroi për mundësinë e pasgoditjeve të forta gjatë ditëve në vijim dhe rrezikun e rrëshqitjeve të dheut. (A2 Televizion)