
Zjarrfikësit në Spanjë dhe Francë po vazhdojnë betejën për të vënë nën kontroll zjarret e mëdha pyjore pranë Madridit dhe Bordosë, ndërsa një valë e re e të nxehtit ka përfshirë rajonin.
Temperaturat pritet të arrijnë deri në 37 gradë Celsius në kryeqytetin spanjoll, Madrid, ndërsa në jugperëndim të Francës termometri parashikohet të shënojë 36 gradë Celsius, duke rritur rrezikun e përhapjes së flakëve.
Sipas raportimeve nga terreni, zjarrfikësit në perëndim të Bordosë kanë kaluar një natë relativisht të qetë dhe zjarri është stabilizuar, megjithëse ende nuk është vënë plotësisht nën kontroll, shkruan A2.
Në rajonin e Gironde, ku ndodhet edhe Bordo, flakët kanë përfshirë mbi 42 mijë hektarë tokë, ndërsa janë shkatërruar rreth 240 banesa.
Autoritetet kanë evakuuar më shumë se 300 mijë persona në Francë dhe Spanjë gjatë ditëve të fundit, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë përpjekjet për të mbrojtur zonat e banuara dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarreve.
Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat e larta dhe kushtet e thata do të vazhdojnë të favorizojnë përhapjen e zjarreve edhe në ditët në vijim. (A2 Televizion)