Kristian Shkreli, kryebashkiaku i Vaut të Dejës, mohoi të martën në Gjykatën e Posaçme akuzën e “korrupsionit në zgjedhje” të ngritur nga SPAK ndaj tij. Kryebashkiaku socialist pranoi të pyetej si i pandehur nga prokurori Dritan Prençi, të cilit i tha se nuk kishte ofruar e premtuar asgjë në këmbim të votës.
“Fshati Stajkë kishte problematikë që në vitin 2019 me energjinë elektrike. Unë çdo ditë bëj telefonata për problematikat e banorëve. Unë mund të jem edhe sot në përgjim. Dje mora një drejtor tjetër se kishte problem me dritat në një fshat tjetër. Marr dhe drejtorin e spitalit kur ka problematikë. Më vijnë ankesa. Mesazhi që prokuroria thotë “jepi zjerm” është që unë kam kërkuar që në takimin elektoral që ishte lënë të kishte brohoritje, ovacione, jo të kem kërkuar vota apo të kem ofruar të mira materiale apo vende pune”, u shpreh Shkreli.
Para gjykatës, Shkreli tha se kishte kërkuar të shkonin sa më shumë njerëz në miting, si tek ai i Partisë Socialiste edhe tek ai i Partisë Social Demokrate.
“Ka qenë situatë e tensionuar. 500 herë më kanë marrë në telefon për problemin e banorëve, nuk më pushonte telefoni nga ankesat. Banorët kishin 2 javë pa drita. Një frazë që prokuroria thotë që i kam thënë banorëve ‘ja kam dhën’ un’ lekët’, është që të bindja qytetarët se defekti i linjës do rregullohej por unë s'kam dhënë asnjë lek tek OSHEE”, tregoi zyrtari vendor.
Në lidhje me disa fraza të gjetura në telefonin e tij, një nga të cilat ishte “veç zjarr për Tomën”, Shkreli tha se me të kërkonte sa më shumë pjesëmarrje në mitingun e Tom Doshit. Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, i zgjedhur nën siglën e PS në vitin 2023, u vu në qendër të kritikave gjatë fushatës zgjedhore të majit 2025.
Gjatë një takimi elektoral kryeministri Edi Rama i tha “Kristian, mos luaj me dy porta, Kristian”, pas dyshimeve se po bënte fushatë për PSD-në e Tom Doshit dhe jo për PS. (A2 Televizion)