Nis Botërori i vërtetë, zbresin në fushë Brazili dhe Gjermania

Nga Dea Kozma
29 Qershor 2026, 16:37 | Futboll

Tani ka nisur botërori i vërtetë me emocione të forta, drama të minutave të para apo të fundit dhe shumë spektakël. Sonte Brazili do të ndeshet me Japoninë, një kundërshtar që konsiderohet problematik për çdo kombëtare. Në miqësoren e luajtur vitin e kaluar, aziatikët kanë mundur Seleçaon 3-2, por trajneri Ançeloti ka treguar gjithmonë lojë të mirë në takimet vendimtare. Nëse kalon më tej, Brazili mund të ndeshet me Norvegjinë ose Bregun e Fildishtë.

Gjermania, që nuk ka shkëlqyer në grup, ka gjetur Paraguajin, një ndeshje e cila pa diskutim do të jetë interesante. Pancerat, nëse kalojnë këtë raund, mund t’i presë një finale e parakohshme me Francën, ose nëse gjelat bëjnë hap fals, atëherë luajnë me Suedinë. Ndërkohë, Holanda luan përballë Marokut, një sfidë që pa diskutim do të jetë shumë e luftuar. Nëse portokallitë kalojnë më tej do të ndeshen me Kanadanë, që mposhti Afrikën e Jugut.

Brazili e mbylli fazën e grupeve si kryesues me 7 pikë dhe një golavarazh +6, duke konfirmuar statusin e favoritit për trofeun. Vinicius Junior ishte ylli absolut, pasi shënoi në të tre ndeshjet e grupeve dhe u kthye në liderin ofensiv të "Seleçaos", ndërsa rikthimi i Neymarit i dha edhe më shumë cilësi skuadrës së Carlo Ancelottit. Brazili mbetet gjithashtu kombëtarja me më shumë tituj botërorë në histori, me plote 5 Kupa Bote dhe një nga ekipet që ka bindur më shumë në këtë fillim turneu.

Pa humbur asnjë ndeshje në grup, Japonia kaloi më tej falë organizimit perfekt dhe futbollit të shpejtë. Ayase Ueda dhe Daichi Kamada spikatën me nga dy gola secili, ndërsa portieri Zion Suzuki ishte një nga gardianët më të sigurt të fazës së grupeve. Tani japonezët ëndërrojnë të shkruajnë histori ndaj Brazilit, duke synuar për herë të parë një kualifikim përtej fazës së 1/16-ave.

Gjermania dhuroi fitoren më të thellë të fazës së grupeve me 7-1 ndaj Curaçaos, duke treguar potencialin e madh ofensiv. Zbulimi i skuadrës ishte Deniz Undav, i cili me golat dhe asistet e tij u bë një nga surprizat më të bukura të turneut, ndërsa Florian Wirtz vazhdoi të konfirmohet si dirigjenti i mesfushës. Megjithatë, humbja ndaj Ekuadorit tregoi se "Pancerat" kanë ende mangësi për të korrigjuar përpara dueleve me eliminim direkt.

Paraguai u ngrit pas humbjes në debutim dhe siguroi biletën për në fazën me eliminim direkt si një nga vendet e treta më të mira. Julio Enciso ishte lojtari që mbajti peshën e sulmit, ndërsa skuadra tregoi karakter duke mos u dorëzuar pas nisjes së vështirë. Tashmë paraguaianët ëndërrojnë të përsërisin ecurinë historike të Botërorit 2010, kur arritën deri në çerekfinale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos