“Diktatori” Mbappe, “urdhëron” arbitrin t’i japë shiritin e kapitenit shokut të skuadrës

Nga A2 CNN
27 Qershor 2026, 10:58 | Futboll

Kapiteni i Francës, Kylian Mbappé, tërhoqi vëmendjen jo vetëm me paraqitjen në fitoren bindëse 4-1 ndaj Norvegjisë, por edhe me një gjest të pazakontë ndaj arbitrit anglez Michael Oliver, i cili u komentua gjerësisht në rrjetet sociale.

Franca mbylli fazën e grupeve të Kupës së Botës me tri fitore në po aq ndeshje, duke siguruar kalimin në fazën me eliminim direkt, ku do të përballet me Suedinë. Edhe pse Mbappé nuk shënoi, ai dha dy asist dhe ishte një nga lojtarët më të spikatur në fushë.

Momenti që bëri më shumë bujë ndodhi në minutën e 87-të, kur sulmuesi francez u zëvendësua nga Jean-Philippe Mateta. Sipas rregullave të reja të FIFA-s, një futbollist i zëvendësuar duhet të largohet nga fusha brenda 10 sekondave, përndryshe lojtari që hyn në fushë duhet të presë edhe një minutë shtesë.

Në vend që të dilte menjëherë, Mbappé iu afrua arbitrit Michael Oliver me shiritin e kapitenit në dorë dhe, me gjeste, i kërkoi t'ia dorëzonte mesfushorit Aurélien Tchouaméni. Vetëm pasi arbitri mori shiritin, ylli francez u largua ngadalë nga fusha, ndërsa Mateta hyri menjëherë në lojë.

Pamjet u bënë virale në rrjetet sociale, ku shumë tifozë rikthyen nofkën me humor "diktatori" për Mbappén. "Mbappé po i jep urdhra edhe arbitrit. Nuk do t'u shpëtojë kurrë akuzave se është diktator", shkroi një përdorues, ndërsa një tjetër komentoi: "Tani edhe arbitrat marrin urdhra nga Mbappé".

Kjo nuk është hera e parë që kapiteni francez komentohet për mënyrën se si merr kontrollin e situatave. Gjatë këtij Botërori ai u pa duke udhëzuar punonjësit e stadiumit gjatë një ndërprerjeje për shkak të motit, si edhe duke drejtuar shokët e skuadrës gjatë seancave stërvitore.

Pavarësisht debatit që shkaktoi gjesti i tij, Franca vazhdon rrugëtimin drejt fazës së 1/16-ve si një nga favoritët kryesorë për fitimin e Kupës së Botës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos