Njëzet vjet pasi debutoi në Kupën e Botës si një adoleshent, ikona e futbollit Lionel Messi do të veshë edhe një herë fanellën e Argjentinës. Ai dhe kombëtarja argjentinase po përgatiten për çerekfinalen e botërorit. Korrespondentja e CNN, Cecilia Domínguez, na çon në qytetin ku nisi rrugëtimi i Messit drejt statusit të legjendës së gjallë.
Të ecësh nëpër rrugët e Rosarios do të thotë, në shumë mënyra, të ecësh në jetën e Lionel Messit. Nuk ke nevojë të vizitosh një muze për të mësuar historinë e tij. Në këtë qytet, rreth 300 kilometra larg Buenos Airesit, Messi është kudo.
Sot po ndjekim gjurmët e kampionit të botës në qytetin ku gjithçka nisi, ndërsa ai përgatitet të zbresë sërish në fushë me fanellën e Argjentinës.
Sipas banorëve të lagjes, kjo shtëpi nuk rri pothuajse kurrë pa vizitorë. Për vite me radhë, ajo ishte shtëpia e fëmijërisë së Lionel Messit.
E ndodhur në lagjen La Bajada, ajo mbetet një destinacion i preferuar për tifozët. Në njërën anë të shtëpisë, një mural gjigant e paraqet Messin duke festuar triumfin e Argjentinës në Copa America 2021. Përballë, një tjetër mural përjetëson atë që dikur ishte vetëm një ëndërr: Messin kampion bote.
Vetëm pak blloqe më tej ndodhet shkolla ku ai studioi në fëmijëri. Ish-mësuesit e kujtojnë si një nxënës të përgjegjshëm, të qetë dhe shumë të dashur nga shokët e klasës.
Një nga mësueset kujton se e kishte të vështirë t'i kthente nxënësit në klasë pas pushimit. Një ditë u tha me shaka: "Nuk është Maradona jashtë, ndaj mjaft luajtët futboll." Vite më vonë, të gjithë qeshin me atë histori. Ajo nuk e dinte se jashtë po luante një Messi.
Nëse historia e Messit ka një pikënisje, ajo është këtu, në klubin Abanderado Grandoli. Pikërisht këtu ai luajti ndeshjen e tij të parë të organizuar kur ishte vetëm katër vjeç.
Historia tashmë është bërë pjesë e legjendës lokale. Një futbollist mungonte dhe gjyshja e Messit këmbënguli që nipi i saj të lejohej të luante. Pjesa tjetër është histori. (A2 Televizion)