Zgjedhjet e ardhshme lokale, 10 kryebashkiakë socialistë me 3 mandate pa të drejtë rikandidimi

Nga Fjorela Beleshi
18 Korrik 2026, 17:08 | Politikë

Në ditët kur mazhoranca e vetme, pa dakordësinë e PD, po harton ndarjen e re territoriale për ta çuar vendin në zgjedhjet lokale me më pak bashki, 10 kryetarë aktualë nuk e kanë më shqetësimin e karriges së tyre.

Kjo, jo për shkak se njësia vendore e tyre mund të shkrihet, por për pengesën ligjore të 3 mandateve në ligjin për vetëqeverisjen vendore. Sipas nenit 59 pika 2, një kryetar bashkie mund të zgjidhet vetëm 3 mandate të njëpasnjëshme në krye të bashkisë, me të drejtë rizgjedhjeje.

3 bashki të mëdha që drejtohen nga socialistët do të duhet të hapin derën për emra të rinj. Erion Veliaj nga paraburgimi nuk ka më mundësi të rikandidojë për Tiranën, ashtu si Armando Subashi për Fierin dhe Sotiraq Filo i Korçës, të cilët i kanë ezauruar 3 mandatet e tyre që lejohen me ligj.

Por këto 3 njësi vendore nuk janë të vetmet. Kryetari i PS, Edi Rama, do të duhet të mendojë se me kë do t’i zëvendësojë edhe 7 socialistë të tjerë, gjithmonë nëse do t’i lërë në hartë pas 23 korrikut. Veterani i zgjedhur i Maliqit, Gëzim Topçiu, e ka të kryer misionin e tij, ashtu si ai i Belshit, Krujës, Roskovecit, Poliçanit, Këlcyrës dhe Malësisë së Madhe.

Këta 10 kryebashkiakë nuk janë të vetmit që penalizohen, pasi përpos ndalimit ligjor, socialistët kanë në plan që t’i mbyllin derën më shumë se 10 bashkive për ndarjen e re territoriale.

Ligji për vetëqeverisjen vendore, reduktimi i bashkive, për disa të zgjedhur lokalë të PS kanë edhe një kusht tjetër të vendosur nga kryetari i tyre, paketën e maleve.

Në përmbushjen e këtyre kritereve, në zgjedhjet e ardhshme lokale Edi Rama duket që do të ketë rifreskim të listave, ashtu si PD që duhet të gjejë emra të rinj, pasi sot drejton vetëm 6 bashki.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos