PD rikthehet në Kuvend, bllokon Avokatin e Popullit, risjell kërkesat e protestuesve

Nga Fjorela Beleshi
20 Korrik 2026, 19:06 | Politikë

Opozita theu bojkotin duke u rikthyer në Parlament me akuzën se Edi Rama ka prishur dialogun në Komisionin e Reformës Territoriale dhe skenarin e tij për të reduktuar bashkitë në mënyrë të njëanshme.

Bllokimi i foltores nga demokratët për të penguar të raportojë Avokati i Popullit bëri që punimet të ndërpriteshin dhe seanca për 7 institucionet të shtyhej më 23 korrik.

I janë zotuar Brukselit se nuk bëhen pengesë për çështjet që lidhen me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe ky u shërbeu demokratëve si argument për thyerjen e bojkotit dhe rikthimin në seancat plenare.

Sapo hynë në sallë, opozita akuzoi kryeparlamentarin Peleshi se po cenon të drejtën e opozitës duke mos marrë në shqyrtim 4 projektligjet e opozitës, të cilat, siç thanë ata, janë jo vetëm kërkesa të tyre, por edhe të protestuesve dhe të Bashkimit Evropian. Bëhet fjalë për investimet strategjike, zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore dhe paketën e maleve.

Sipas demokratëve, zërin e protestuesve nuk mund ta "mbysë" asnjë manovër e socialistëve, as koncertet ndërkombëtare. Për mazhorancën kjo është një mendësi humbëse e opozitës.

Shqetësim tjetër për të djathtët është ndarja e re territoriale që socialistët po e ndërmarrin të vetëm.

Pavarësisht këmbënguljes së pakicës për të zgjatur punën e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale, shumica i la takim seancës për të enjten, nëse duan të lexojnë raportin e tyre.

Me nisjen e rendit të ditës nuk mungoi as bllokimi i foltores së Kuvendit, kësaj here jo për socialistët. Demokratët u bënë bllokadë ndaj Endri Shabanit, sipas tyre, Avokat i Popullit i zgjedhur në mënyrë antikushtetuese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos