Dosja Aruba i shërbeu kreut të PD për ta cilësuar Shqipërinë shtet droge: ‘’Ky shtet është drogë dhe droga është shtet’’, tha ai
I shërbeu edhe për të akuzuar SPAK se mban qëllimisht sekret emrat e zyrtarëve shqiptarë në atë të ashtuquajturin samit, ku morën pjesë edhe biznesmenë. ‘’Dalin në dosjen belge, dalin në dosjen spanjolle, dalin në dosjen italiane këta e mbajnë të fshehtë dhe sekret’’, tha Berisha, duke e cilësuar të turpshëm këtë qëndrim.
Mohon të ketë dosjen, por tregoi emrat që ai dyshon se kanë qenë atje sipas tij me urdhër të kryeministri Rama. Taulant Ballën e përjashtoi: ‘’Jo për Taulantin nuk kam thënë se ka qenë në Aruba. Për Taulantin jo’’. Dosjen nuk e kam, por kam të dhëna sigurisht’’.
Gazetarët i thanë se Damian Gjiknuri ju betua në Kushtetutë, kur mohoi të ketë qenë në Aruba. Berisha u përgjigj me doza ironie për deputetin socialist:
"U betua në Kushtetutë dhe jo në bibël, se ky është një personazh kompleks. Ky Kushtetutën e ka si një prostitutë politike Figuron Emri i Engjëll Agaçit, Ergys Agasit dhe i Damianit që thotë betohem. Por ai nuk pranoi të betohej në bibël. E dini ju atë ishullin Athos? Aty është shumë e vështirë të pranohesh. Duhet të kalosh disa filtra purifikimi shpirtëror, por ky… Unë e kam parë me sytë e mi në Athos atë dhe ndaj nuk pranoi të betohej në bibël. Unë nuk kam qenë, por unë shoh video’’ , ju tha Berisha gazetarëve.
Në mënyrë metaforike tha se në SPAK tha se gjeti edhe Gjykatën Kushtetuese e cila i ka zvarritur 11 muaj ankesën për masën aktuale të sigurisë. Krahasimin e bëri me zyrtarë të pushtetit.
"Ajo gjykatë që është notere e turpshme e akteve kriminale të qeverisë shqiptare, ajo gjykatë që shqyrton brenda një muaji kërkesën e Lubi Ballukut, që shqyrton brenda dy muajve kërkesën e Erion Veliajt, që ka detyrim ligjor që masat e sigurisë t’i shqyrtojë në afat maksimumi tremujor, shtyn shqyrtimin e kërkesës time për në tetor. Domethënë shtyn me pothuajse 11 muaj, tre herë afati ligjor’’ , tha Kryetari i PD i cili është nën masën e sigurisë së detyrimit me paraqitje në SPAK.
Sipas ish-kryeministrit Berisha dosja ‘’Partizani’’ që rëndon ndaj tij është e ndërtuar me falsifikime.
"I tërë procesi është ndërtuar mbi falsifikime, dokumentesh, faktesh e të tjerë. Me një fjalë, ajo është një piramidë mashtrimi e shembur’’, tha ai.
Nuk e shqetëson as dëshmia e Bamir Topit në proces, asokohe President Republike dhe Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura
‘’S’kam nevojë për asnjë njeri në botë të dëshmojë pro meje, sepse është faktuar në mënyrën më përfundimtare që në mënyrë absolute nuk ka asnjë shkelje ligjore. As dhe një shkelje më të vogël ligjore. Ka trillime të paimagjinueshme në atë proces’’ deklaroi ndër të tjera kryetari i Partisë Demokratike. (A2 Televizion)