Kryeministri Edi Rama kërkoi ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin që i mori jetën një efektivi policie dhe plagosi një tjetër, gjatë aksionit për kapjen e tij në Lozhan të Maliqit.
“Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie e është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi ka hapur zjarr ndaj tyre u plagos dhe u kap edhe krimineli! Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër. Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj”, shkroi Rama në “X”.
Në nisje të seancës plenare, Kuvendi i Shqipërisë mbajti një minutë heshtje në nderim të Dëshmorit të Atdheut.
Demokratët kërkuan llogari përse për një aksion kaq delikat ishin angazhuar efektivët e forcave Shqiponja, në vend të trupave më të specializuara.
Ministri i Brendshëm garantoi se gjithçka po analizohet dhe nëse do të jetë e nevojshme do të merren të gjitha masat.
I shumëkërkuari që strehohej në malet e Maliqit i kishte shpëtuar disa herë operacioneve të RENEA-s për kapjen e tij dhe kishte përgatitje ushtarake. (A2 Televizion)