Mungesën e demokratëve në seancën plenare po e vuajnë edhe socialistët. Kreu i Grupit Parlamentar të mazhorancës, Taulant Balla, nuk e fshehu se pret me padurim rikthimin e Sali Berishës. Arsyet, sipas tij, lidhen me çështjen e Zvërnecit.
“Jam duke pritur Saliun. Mezi po pres të vijë Saliu, se kam një dokument aty. Or ti, me këtë dokument, Saliun do ta qeshë e gjithë Shqipëria, jo për 30 vjet, por për 60 vitet e ardhshme.
Kam një dokument aty që Saliu ka firmosur, me firmën e vet, zhvillimin e gjithë zonës së Zvërnecit, masterplanin. Por jam duke e pritur, kur të vijë. Rrezik s’vjen më, ku i dihet, punë e tij.”, tha Balla
Përballë akuzave që vijnë nga opozita se mazhoranca po lejon shitjen e tokave bujqësore te të huajt, Balla tha se nismat ligjore të paraqitura në Kuvend janë pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.
“Nëse do të hysh në Bashkimin Evropian, Bashkimi Evropian thotë se duhet të përafrosh legjislacionin tënd me legjislacionin e tij, me atë që quhet acquis communautaire.
Jo Hakiu nga komunet e Terrës. Jemi të detyruar edhe ne, Shqipëria, që e kishim në ligj pamundësimin e shitjes së tokës bujqësore, ta përafrojmë atë me legjislacionin e BE-së. Kështu e ka Italia.”, tha Balla.
Me kërkesë të Grupit Parlamentar të PS-së, u miratua shqyrtimi me procedurë të përshpejtuar i disa ndryshimeve në ligjin për turizmin, të cilat parashikojnë pezullimin e punimeve të ndërtimit gjatë sezonit turistik në zonat turistike.
“Të pezullohen punimet e ndërtimit gjatë sezonit turistik, duke garantuar një zhvillim më të qetë të sezonit dhe një cilësi më të lartë të ofertës turistike në vendin tonë.Yjet nuk mund të jenë më vetëshpallje e pronarit të hotelit.”, tha Balla.
Projektligji parashikon gjithashtu ndryshime të tjera që lidhen me standardizimin e kategorizimit të hoteleve, regjistrimin elektronik të klientëve dhe përmirësimin e administrimit të mbetjeve nga strukturat akomoduese. (A2 Televizion)