
Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, përgëzoi Shqipërinë për mbylljen e tri kapitujve të parë të negociatave të anëtarësimit, duke e cilësuar këtë një arritje të rëndësishme në rrugën drejt integrimit europian.
Në përfundim të Konferencës së 9-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, Kos tha në krah të kryeministrit Rama se ky rezultat u bë i mundur falë përmbushjes së piketave të ndërmjetme në fushën e sundimit të ligjit.
“Përgëzime të gjithë miqve tanë shqiptarë për punën e tyre dhe për këtë arritje. Kjo u bë e mundur sepse Shqipëria ka përmbushur piketat e ndërmjetme për sundimin e ligjit”, deklaroi ajo.
Megjithatë, komisionerja theksoi se ky është vetëm një hap i ndërmjetëm në procesin e anëtarësimit dhe se reformat duhet të vijojnë me të njëjtin ritëm.
“Ky është një hap i ndërmjetëm që do të thotë se reformat duhet të vazhdojnë dhe të thellohen. Inkurajojmë që të vazhdohet progresi në sundimin e ligjit, sistemin e drejtësisë, anti-korrupsioni dhe lufta ndaj krimit të organizuar”, u shpreh Kos.
Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së të gjithë aktorëve në procesin e reformave, duke theksuar se ndryshimet e qëndrueshme mund të arrihen vetëm përmes dialogut dhe pjesëmarrjes së gjerë.
“Reformat që i shërbejnë Shqipërisë mund të kenë sukses vetëm nëse të gjithë ata që janë të prekur mund të dëgjohen dhe të përfshihen”, tha komisionerja.
Në fund të deklaratës së saj, Kos rikonfirmoi mbështetjen për Shqipërinë në procesin e integrimit europian. “Unë do të jem krah jush deri në fund të mandatit tim”, përfundoi ajo.
(A2 Televizion)