Mazhoranca rrëzon kërkesën e PD për interpelancë me Ramën

Nga A2 CNN
30 Qershor 2026, 11:15 | Politikë

Me forcën e kartonit mazhoranca rrëzoi interpelancën me Ramën e kërkuar nga PD. Me 23 vota pro interpelancës dhe75 kundër, Kuvendi refuzoi kërkesën për interperlancë urgjente të Gazment Bardhit me kryeministrin Rama për 5 kërkesat e paraqitura prej protestuesve. Sipas kreut të Kuvendit Niko Peleshi, çështjet kanë natyrë legjislative dhe jo me kërkim shpjegimesh.

“Shumica e çështjeve të ngritura ka natyrë legjislative pasi lidhen me ndryshimin ose shfuqizimin e akteve në fuqi dhe jo me kërkimin e shpjegimeve për veprimtari konkrete të Këshillit të Ministrave. Kërkesa nuk pranon një objekt të veçantë dhe të pavarur që të justifikojë zhvillimin e një interpelance urgjente. Kërkesa nuk pranohet”, tha Peleshi.

Në arsyetimin e tij para Kuvendit, Bardhi tha se Peleshi po mbron kryeministrin nga llogaridhënia, ndërsa vijoi me akuzat ndaj këtij të fundit.

“Ky është një refuzim për parlamentin, një refuzim ndaj qytetarëve shqiptarë. Ju sot nuk dështuat vetëm në përmbushjen e rolit tuaj. Sot ju po mbroni kryeministrin nga llogaridhënia. Detyra juaj është të mbroni dinjitetin e Kuvendit për t’i kërkuar llogari qeverisë. Ju sot zgjodhët të mbroni kryeministrin dhe jo parlamentarizmin. Rama është peng i krimeve shtetërore dhe besoj se e ka menduar realisht dorëheqjen, por s’mund ta japë sepse është peng i sistemit që ka ndërtuar vetë. Edi Ramën nuk e lejojnë të largohet sepse ka ende borxhe për të shlyer që e bën duke shitur copa të Shqipërisë”, reagoi Bardhi.

Më pas, ai vendosi celularin te mikrofoni i podiumit për t’i treguar kryeministrit kërkesën e “shumicës së qytetarëve që protestojnë prej 30 ditësh” duke luajtur një video ku dëgjohej fraza “Rama jepe dorëheqjen.”

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos