
Kryeministri Rama është ndalur përgjatë kësaj të marte në Vlorë.
Rama vizitën e parë në qytetin bregdetar e ka zhvilluar në Orikum, ku në bazën e Pashalimanit është finalizuar marrëveshja për prodhimin e anijeve luftarake. Marrëveshje kjo mes qeverisë shqiptare dhe një firme italiane, që do të prodhojë në Pashaliman anije ushtarake, shkruan A2.
Sipas informacioneve, marrëveshja e bashkëpunimit është ndërmjet shoqërisë shqiptare KAYO sh.a. dhe gjigantit italian të ndërtimit të anijeve Fincantieri, në bazë të së cilës Shqipëria do të prodhojë në bazën e Pashalimanit mjete lundruese, fillimisht për nevojat e Forcave të Armatosura dhe më pas për eksport në tregjet ndërkombëtare, duke e pozicionuar vendin si një qendër të re prodhuese në rajon.
Pas finalizimit të kësaj marrëveshjeje, në shtator pritet që të ndryshojë në total baza e Pashalimanit.
Nga një bazë ushtarake, aty do të realizohen një sërë investimesh në infrastrukturë, duke e kthyer këtë bazë në një vend prodhimi të anijeve luftarake për brenda dhe jashtë vendit. (A2 Televizion)